Fillimi

Objektet e kultit ne Opar te Korces

Sic dihet , Opari ka qënë një zonë tepër malore dhe mjaft larg qendrave të zhvilluara qytetare – urbane.


5 Korrik 2008 – Sic dihet , Opari ka qënë një zonë tepër malore dhe mjaft larg qendrave të zhvilluara qytetare – urbane. Duke qënë e tillë edhe kontaktet e marrëdhëniet me këto qendra më të zhvilluara, kanë qënë të kufizuara. Kjo vërtet ka bërë që në tërësi në këtë krahinë zhvillimi ekonomiko – shoqëror të ishte më i ngadalshëm , po nga ana tjetër, duke qënë se ndikimi i huaj ishte më i pakët e vinte i vonuar, u ruajtën në mënyrë konservatore, më mirë se kudo, traditat, zakonet e doket e vjetra.Kjo duket edhe sot në disa drejtime. Le të marrim gjuhën. E fojmja e Oparit, si dhe ajo e Kolonjës dhe e Dangëllisë, fqinje me të , është një toskërishte e pastër , e mirëfilltë, pa ndikime të huaja.Edhe në veshje , në mënyrën e jetesës e mbi të gjitha në psikologji e mentalitet, oparakët jane dalluar e dallohen nga banorët e krahinave të tjera për vecoritë dhe origjinalitetin e tyre. Mikpritja , sinqeriteti, ndershmëria, besa, thjeshtësia, janë cilësi tepër të spikatura tek oparakët.

Përsa i përket besimit fetar

Përsa i përket besimit fetar, oparakët e kanë përqafuar qysh herët krishterimin. Për këtë ka të dhëna të shumta, ka tregime e legjenda, dhe ajo që e vërteton më tepër eshtë egzistenca e objekteve të kultit qe ishin të pranishme në cdo fshat. Edhe sot dëgjojmë të thuhet shpesh “ sheshi i vakëfit “, “lisat e kishës”, “ ara e kaurit”, “ guri i dhespotit “, për një vend që nuk ka asnjë shënjë vakëfi,po që dikur , herët, shumë herët, ka egzistuar. Dhe objektet e kultit kanë qënë aq të shumtë sa që sot zor se gjen fshat të mos ketë emërtime të tilla, qoftë i banuar nga të krishterë apo myslimanë.Bile, megjithëse fshatra të vegjël, me 10 – 15 shtëpi, kishin jo vetëm nga një ,po edhe nga dy apo tri kisha e vakëfe.Ky numër i madh ndërtesash kulti natyrisht flet për një besim të tepruar fetar.

Emra të krishterë duken edhe ne toponime.Në Opar janë fshatrat Protopapë, Popcisht dhe Poponivë që respektivisht kanë kuptimin – prifti i parë, fshat i priftit dhe ara e priftit që janë tepër të hershëm.Këta emra janë përdorur në gojën e stërgjyshërve tanë për shumë shekuj, patën kohë të nguliteshin mirë para se të vinte pushtimi osman dhe, kur banorët respektivë dhe të gjithë zonës u kthyen në myslimanë, këto toponime mundën ti qëndrojnë kohës dhe arritën deri më sot. Gjithashtu emrat e fshatrave Gjinikas, Lekas, Marian e Varvarë, vijnë nga emra personash ose shenjtorësh të krishterë. Pra të gjitha këto flasin paë hershmërinë dhe përhapjen e gjërë te krishterimit ne kete zonë.

Oparaket ishin më tepër atdhetarë se sa besimtarë

Islamizmi, si kudo, edhe në Opar , bëri punën e tij. Sipas disa të dhënave , më tepër gojore, ai vazhdoi deri më 1908, në kohën e Hyrrietit, po , kuptohet , jo me intensitetin e viteve apo shekujve të kaluar. Deri vitet e fundit një mysliman nga Xerja e thërriste kushëri një të krishter nga Karbanjozi. Dhe hynin e dilnin, vinin e shkonin tek njëri tjetri si njerëz të afërt, si kushërinj. Kjo tregon se kthimi në islamizëm për ta kishte ndodhur vonë. Megjithëkëto, është për të theksuar se feja islame , e imponuar nga pushtuesi, nuk zuri vend të dukshëm, nuk u rrënjos tek besimtarët . Oparaket ishin më tepër atdhetarë se sa besimtarë, fetarë. Ja një fakt : Opari ka pasur 36 fshatra dhe, ndërsa cdo fshat i krishterë kishte një apo dy kisha, në fshatrat myslimanë nuk ndodhte kështu. Jo të gjithë fshatrat myslimanë kanë pasur xhami ose teqe. Po edhe atje ku ishin ngritur ato , nuk ishin të rregullta. Diku xhamia mbeti e pa përfunduar , diku pa minare ose me gjysëm minare. Në disa raste , kur kishat kishin ditën e panairit të tyre, aty vinin jo vetëm të krishterë, po më shumë myslimanë, burra, gra, fëmijë, të moshuar.Kështu ndodhte p.sh. në ditën e shën Triadhës së Lavdarit ku vinin besimtarë myslimanë nga Xerja, Lekasi, Shkozanji,Gurrëmujasi, Tudasi e tj. Dhuronin para e rupa argjendi.Hynin në kishë dhe puthnin ikonat e u nënështroheshin gjithë ceremonive të tjera. A nuk flet kjo për një besim të hershëm, për një traditë të herëshme që mbeti brez pas brezi dhe nuk u shua deri në ditët tona?

Objektet e kultit në Opar

Për objektet e kultit në Opar, kisha , xhami e teqe nuk ka të dhëna të sakta. Edhe N. Naci në veprën e tij “ Korca dhe katundet e qarkut “, botim i dytë i vitit 1923, kur flet për Oparin, vërtet numëron të gjitha fshatrat me popullsinë e tyre të ndarë në të krishterë e myslimanë, objektet e kultit dhe mësonjëtoret, po, për fat të këq, në mjaft rastë të dhënat nuk janë të sakta e të besueshme. Ishte koha e rrëmujave pas Luftës së Parë Botërore, djegieve dhe plackitjeve të viteve 1916 – 1917 kur shumë fshatra u braktisën dhe u vunë re ndryshime të theksuara në krahasim më disa vite më parë. Ndaj edhe të dhënat e autorit të mësipërm janë jo të plota se, sic thotë ai vetë në parathënien e librit , faktet i mblodhi gojarisht, nga të thënat e njërit apo të tjetrit e jo nga burime të sakta zyrtare. Edhe në vitet e më vonëshme për objekte e kultit në Opar , nuk pati studime të organizuara apo informacione të ndryshme për egzistencën e tyre.

Megjithëkëto, për disa kisha , aty këtu, gjënden shënime që flasin për kohen e ndërtimit apo riparimit të tyre, për ktitorët, ikonat që kanë pasur e nderimin për to. Për këto flet një mbishkrim, një gur, një datë, një gojëdhënë. Ndër kishat më të vjetra në Opar dhe në mbarë vendin tonë, është kisha e shen Triadhës e Lavdarit. Shpesh ajo është quajtur edhe kisha e Tudasit, fshat pranë saj.Shën Triadha , sic kemi theksuar diku, është ndërtuar nga Kirana Muzaka në vitin 1470. ( Kirana – Qyrana ose zonja Ana emër ky mjaft i përhapur në Opar , deri në ditët tona ) Kjo Kirana ishte gjyshja e Gjon Muzakës, i fundit Muzak që u largua pas pushtimit turk dhe autori i “ Memories” së dëgjuar. Familja fisnike e Muzakëve, sipas “ Memories,” e kishte traditë që herë pas here të ndërtonte kisha e , në mjaft raste , edhe vetë pjestarët e kësaj familjeje u varrosën në to. Le të përmendim këtu kishën në Bungë të Zerecit apo në Arostë. Kështu ndodhi edhe me kishën e shën Triadhës. Ajo është kishë para turke e stilit bizantin, në formë kryqi, me kube , pa trarë, me mura guri të thatë, me vlera të mëdha arkitektonike. Sipas disa te dhënave të mëvonëshme, pikturat e saj, afresket, janë të mëvonëshme. Kisha është veshur më vonë nga ana e jashtme me mure guri të tharë të gdhendur nga mjeshtrit oparakë.Kjo i shtoi jetën ndërtesës dhe e solli në këmbë deri në ditët e sotme. Besimtarët ,të krishterë e myslimanë, e ruanin kishën dhe kishin nderim të vecantë për të. Të moshuarit tregojnë se xha Goli dhe më vonë xha Todhri nga Lavdari, u kujdesën tërë jetën dhe e ruajtën atë pa asnjë shpërblim nga cdo dëmtim. Shumë vite kaluan, shumë luftra e kohë të turbullta rrodhën, shumë njerës hynë e dolën në të për tu falur ose për të kaluar natën ose për tu mbrojtur nga shiu e të ftohtit, bile edhe asqerë turq, ushtarë italianë e gjermanë po kishën e vetmuar në majë të kodrës nuk e trazuan, nuk e dëmtuan.

Shpesh besimtarët i falnin kishës ikona e sende të tjera.

Një ndër këto ikona ka qënë edhe ajo e Poskomidhisë ku besimtari ka lënë shënimin : “ Lutje e shërbëtorit të perëndisë Simo Theodhor Kiranës.” Se nga ishte ky Simo Theodhori që bëri dhuratën nuk dihet , po mendohet që ikona të jetë e vonë e shek. XVIII .

Vite më parë, kjo kishë, për vlerat e saj, ishte shpallur “ Monument kulture “ dhe ruhej nga shteti. Po më vonë , sidomos pas vitit 90 , kujdesi për të ra dhe kisha pati dëmtime serioze. Afreskat u dëmtuan aq shumë sa disa fragmente të mbetura sot , nuk përfaqësojnë asgjë. Tani, kur nga kjo zonë njerëzit po largohen e fshatrat po braktisen, egziston rreziku që kisha të prishet fare, të kthehet në gërmadhë.Thonë që tani , kohët e fundit Atelja e Monumenteve ka caktuar një kujdestar për të. Shpresojmë që ai të jetë i ndërgjegjshëm e të bëjë punën e tij që ky monument me vlera rë mëdha arkitektonike të mos prishet e shkatërrohet.

Kishë tjetër e përmendur në Opar ka qënë edhe shën Mëria e Dusharit. Njerëzit e përmednin shpesh atë dhe tregonin shumë raste që ajo “kishte bërë ferk”. Bile kur flisnin për ndonjë cështje të rëndësishme , që të bëheshin sa më të besuar betoheshin : -“Për shën Mërinë e Dusharit “! Dhe kur mallkonin: – “ Të vraftë shën Mëria e Dusharit” ! Për këtë kishë si dhe për të tjerat që do të zihen në gojë më poshtë, studiuesi i palodhur i objekteve të kultit Theofan Popa, na ka lënë disa shënime. Për shën Mërinë e Dusharit, në mbishkrimin që ishte kopjuar më 1952 dhe që disa vite më vonë ra megjithë suvanë e murit lindor, jepej viti i rindërtimit dhe i pikturimit të kishës më 1670 si dhe emrat e atyre që ndihmuan e paguan për të.Në mbishkrim thuhej :“ Është përtëritur dhe pikturuar ky tempull hyjnor dhe i gjithënderuar i së gjithëshenjtës Zojës sonë hyjëlindëses dhe gjithmonë virgjëreshës Mari, me përpjekjet dhe shpenzimet e arkondëve Koste Kinit, Leskos, Kin Pemës,Lekës, Mekës, Dukës, Pem Janit…1760.” Në këtë kohë fshati ishte i gjithë i krishter . Ky është një mbishkrim me vlera të mëdha historike se na jep me saktësi vitin e rindërtimit si dhe emrat e atyre vendasve që kontribuan për këtë objekt kulti.Nga ky mbishkrim kuptohet se Dushari në atë kohë ishte fshat i populluar dhe kishte arkondë të pasur.

Për kishat e tjera të dhënat janë edhe më të pakta. Në kishën shën e Premte në Lavdar, mbi një pllakë guri , mbi portën kryesore, ishte gdhëndur viti 1881. Kuptohet, ky duhet të ishte viti i ndërtimit të kishës.Më poshtë, në mbishkrim, shkruhen emrat e epitropeve Marko e Spiro Katro, banorë të këtij fshati.Shtojmë se kjo kishë si dhe kisha tjetër e këtij fshati, shën Gjergji,jo më shumë se 500 m. larg saj, që duhet të ishte më e herëshme, ishin kisha të tipit katedral dhe të kompletuara me ikona, me hapësirë të gjërë. Ato kishin altarin, naosin e narteksin. Shën e Premtja kishte edhe kambanari. Këto kisha në konstrukt dhe ndërtim, u ngjanin shumë kishave të Voskopojës.Ky fshat ka qënë gjithmonë qëndër administrative e zonës, po që nuk i ka kaluar kurrë 10 – 15 shtëpi, vec këtyre kishave , kishte edhe një të tretë, shën Triadhën për të cilën folëm më lart.

Ikona e Shën Mërisë

Vite më parë, në kishën manastir të shën Prodhromit në Voskopojë ndodhej një ikonë e shën Mërisë e gdhendur në një pllakë mermeri. Në të thuhej : “Kujto o zot shërbëtorin e perëndisë Kristo Cervencin, gruan e tij Kostinën, Marion 1762.” Kjo ikonë më parë i përkiste kishës së shën e Premtes të fshatit Gjinikas në Opar.Se si erdhi në Voskopojë nuk dihet , po kisha e Gjinikasit ishte ndërtuar në një vend të bukur, piktoresk, me lisa shekullorë.Për mirëmbajtjen e kësaj kishe , një i pasur i fshatit, mirëbërësi i njohur oparak Kristaq Niko Gjinikasi kishte lënë me testament një shumë të hollash. Kisha duhet të ishte ndërtuar para datës që dhuruesi i ikonës e kishte falur atë. Pra para vitit 1762. Ky fakt tregon edhe një herë atë që është pohuar nga disa studiues se nga kishat e Oparit, kohë pas kohe, kanë ardhur në Voskopojë ikona dhe ikonostase të shumtë dhe janë vendosur në kishat e atyshme.

Edhe kisha e shën Thanasit në Kucakë ( Gurshqipe ), është e herëshme. Mbi portën jugore të kësaj kishe ishte gdhëndur mbi një gur viti 1721. Kjo datë duhet të tregojë vitin e rindërtimit ose të riparimit të kishës se mbi cati të saj gjendeshin tjegulla të mëdha që i përkisnin një kohe më të herëshme, mbase asaj bizantine.Ky fshat, megjithese i vogël , kishte dy kisha që ishin të kompletuara me ikona.

Ishte bërë zakon që piktorët e ikonave , për disa shenjtorë dhe sidomos për ktitorët , për ata që investonin të hollat, ti pikturonin me veshje të kohës, me veshje vendase , lokale. Kjo veshje ishte me anteri të gjatë, me brez, me një dolloma ose pallto të madhe me gëzof. Kështu ishte vepruar për Nikodim Vithkuqarin, për Haxhi Jorgjin, ktitorin e kishes se shën Kollit të Voskopojës, po kështu u veprua edhe për ktitorin e kishës Fjetja shen Mërisë në fshatin Karbanjos të Oparit. Kjo kishë ishte e vogël dhe ktitori i saj ishte Gjergj Ilia. Pamja e tij impozante dhe me veshjen që theksuam më lart, dukej njeri i këtyre anëve, puro oparak.Kjo pikturë i parket shek. XVIII. Per ktitorin thuhej se më vonë banonte në Voskopojë. Për fat të keq , për këtë kishë nuk kemi të dhëna të tjera, por nga gojëdhënat del se në të ishin vendosur okona të vjetra dhe me vlerë artistike.Karbanjozi kishte edhe një kishë tjetër, ata ta shën Kollit ku ishin edhe varrezat e fshatit.

Edhe fshatrat e tjerë të Oparit kishin kisha, nga një ose nga dy edhe nga tre.Kështu Punëmira kishte kishën e shën Minait, fshati Opar kishën e shën e Premtes dhe shen Kollit , Misrasi kishën e shën Kollit, Osoja kishën e shën Gjergjit, shën e Premten dhe shën Mërinë.

Ekspedita

Është për të theksuar këtu se, vite më parë, në fshatin Opar ekspedita e Institutit të Historisë gjeti një ikonë mjaft të dëmtuar që një fshatar e kishte ruajtur prej kohësh. Ikona ishte djegur në disa vende, ishte dëmtuar dhe imazhi i saj ishte shumë i errësuar. Pasi u mor në Muzeun e Artit Mesjetar , u restaurua, u plotësuan me kretë të gjtha vendet e djegura dhe sipërfaqja e mbetur e pikturës u pastrua. Si rezultat i kësaj pune tepër të kujdesëshme, doli në dritë figura e Arkangel Mihailit, një ikonë kjo nga më të bukurat e më me vlerë. Nga studimi që eshtë bërë dhe nga stili i saj, i përket periudhës së Paleologëve, para shek. XIV.

Se kujt kishe të këtij fshati i përkiste kjo ikonë , nuk dihet.Nuk dihet gjthashtu as autori i saj . Po fakti që ikona 600 vjecare u gjend aty , tregon hershmërinë e këtyre kishave dhe kujdesin e banorëve për objektet e kultit, duke vendosur në to ikona të një niveli të lartë artistik.

Sa për objektet e kultit mysliman, xhami e teqe, thamë më sipër se nga ato nuk kishte cdo fshat mysliman, po përsëri sipas të dhënave xhami kishte Dushari, Dobërcani, Gjonbabasi, Gjergjevica, Shkozanji, Xerja dhe ndonjë fshat tjetër.Ndërsa teqe ishin ajo e Vrëpckës dhe e Mazërrekës. Për këto objekte nuk kemi të dhëna për kohën e ndërtimit . Ato gjithashtu nuk kanë paraqitur ndonjë interes arkitektonik se pothuaj të gjitha ishin ndërtesa tepër të thjeshta, të rëndomta sa mezi dalloheshin si objekte kulti, apo si vende të shenjta për falje.

Për kishat e Oparit nuk kemi të dhëna as për mjeshtërit ndërtues , as për ikonografët që i kanë pikturuar ato. Por dihet se oparakët kanë qënë mjeshtër të gdhëndies se gurit dhe të drurit. Ata ndërtonin jo vetëm banesa , po edhe kisha e xhami në Berat, Vlorë, Durres. Dhe emra mjeshtërish të përmendur ka. I tillë ka qënë usta Naumi nga Lavdari që ka gdhëndur ikonostasin e shën Mërise në kala të Beratit në vitin 1859. Ky mjeshtër dhe të tjerë kanë punuar ikonostase edhe në kisha të tjera.

Kështu Dhimitër Koleci nga Mariani, ka qënë mjeshtër i ikonostaseve. Ai ka gdhëndur më 1756 ikonostasin e katedrales “Burimi jetëdhënës “në Korcë si dhe ikonostasin e manastirit të shen Pjetër e Pavël në Vithkuq dhe atë të shën Gjon Vladimirit në Elbasan. Ai ishte mjeshtër i talentuar i një niveli tepër të lartë.

Vec kësaj piktorët Cetiri nga Grabova , fillimisht kanë qënë nga Lavdari i Oparit me mbiemrin Katro. Ata shkuan në Grabovë, dhe e ndërruan mbiemrin për disa arsye që i kemi sqaruar kur kemi folur për familjen Katro. Ata për gati një shekull kanë pikturuar kishat e Myzeqesë dhe të vendeve të tjera.

Atëhere, nisur nga këto fakte , pra nga mjeshtërit gur e drugdhëndës dhe piktorë të dëgjuar oparakë që ndërtuan banesa e objekte kulti për të tjerë, nuk kemi arsye të gjykojmë që ata kanë ndërtuar objekte të tilla edhe për veten e tyre?Sigurisht që po! Ende tradita gojore popullore përmënd drugdhëndësit katrollarë si dhe usta Mandin po nga Lavdari që punuan një kishë të këtij fshati si dhe atë të fshatit Punëmirë e cila dallohej për bukurinë e madhështinë e saj po që fatkeqësisht u dogj e u prish gjatë Luftës së Dytë Botërore.

E megjithëkëto , e përsëritim, të dhëna dhe dokumente konkrete për ndërtuesit dhe piktorët e të gjitha kishave dhe xhamive, për kohën e ndërtimit të tyre në zonën e Oparit nuk ka. Edhe studiuesi i njohur Th. Popa , që përmëndëm më lart, i vetmi specialist në vendin tonë për objektet e kultit në këta 50 vjet që shkuan e që zhvilloi një veprimtari të gjërë shumëvjecare dhe i shkeli e i vizitoi disa herë kishat e Oparit, vec atyre që theksuam më sipër, nuk na jep asnjë të dhënë tjetër për këtë problem.

Si përfundim

Si përfundim mund të themi se, si kudo , edhe në Opar ka pasur shumë objekte kulti, po për to nuk ka pasur shënime , studime e botime të ndryshme. Deri në vitin 1967, mjaft kisha e xhami ishin të paktën si ndërtesa . Pas kësaj date, me presionin e shtetit, ato ndërruan funksion, duke u kthyer në depo, magazina e stalla. Ikonat e shumta , librat dhe paisjet e tjera me vlerë unikale e të papërsëritëshme, u dëmtuan, u dogjën, humbën e u asgjësuan.Më vonë u prishën , u demtuan e u shkatërruan edhe si ndërtesa se nuk u kujdes askush për ruajtjen apo mirëmbajtjen e tyre. Sot në shumë fshatra, duken vetëm gërmadha dhe emri i kishave dhe xhamive eshte kthyer në toponim. Me keqardhje e pohojmë një gjë të tillë.

  1. Ende pa komente.
  1. No trackbacks yet.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Figurë Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Google+ photo

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Ndiqe

Merreni çdo postim të ri drejt e te email-et tuaja.

Këtë e pëlqejnë %d blogues: